Image Alt

Zona 2

Zona 2 - Ura e Tabakëve

Zona në fjalë ka pasur deri disa dekada më parë, dy ura të gurta me harqe, që lidhnin qytetin e të dyja anëve te lumit të Lanës. Ato emërtoheshin ‘Ura e Tabakëve’ dhe ajo e ‘Terzinjve’. Fatkeqësisht ura e Terzinjve nuk ekziston më, pasi u shkatërrua, duke iu shtuar në këtë mënyrë listës së humbjeve tona identitare pa kthim, edhe një tjetër thesar të çmuar. Osman Myderizi në librin e tij “Tirana 1604-1937” tregon se kur u ndërtua “Ura e Tabakëve” nga vetëbanorët e lagjes, u bë pa përmendur emra konkretë, dëshirë kjo e vetë dhuruesve. E njëjta dukuri ndodhte dhe me “Urën e Terzinjve,” e cila u ndërtua me dhurimet e banorëve të lagjes, po ashtu pa iu përmendur emri.

Projekt i restaurimit i Urës së Tabakëve

Zona në fjalë, është formësuar nga prania e lumit Lana në jug të saj dhe dy urave që kalonin mbi shtratin e tij. Zona e ndërtuar në mënyrë organike, ruan ende sot itineraret historike të cilat komunikojnë mes tyre nëpërmjet rrugicave dhe lidhin Zonën e Kalasë së Tiranës me atë të Pazarit të Ri. Banesat kanë ruajtur identitetin e tyre duke sjellë në kohë elementë arkitektonikë dhe historikë.

Oborret, gjelbërimi si edhe orientimi i banesave na komunikon një stil jetese origjinal të qytetit, ku hapësira private shërbente njëkohësisht edhe si publike. Rrugicat lidhëse të pllakave urbane nuk kanë ruajtur dot elementin e tyre original, kalldrëmin, por portat shumëngjyrëshe, muret e dekoruara me gjelbërim kacavjerrës dhe çatitë e kuqe, na sjellintiparet më dekorative dhe interesante të asaj çfarë Tirana e fillim shekullit të kaluar ka përfaqësuar.

Ndër morinë e godinave private të tipit vilë, kemi praninë edhe të një sërë objektesh me karakter tregtar, karakter i rrugës tregtare e cila lidhte Urën e Tabakëve me Pazarin e Vjetër të Tiranës. Nga zhvillimet e paqëndrueshme të pas viteve 1990, kemi praninë e godinave shumëkatëshe, të një arkitekture përfaqësuese të kohës, pornë kontrast të thellë me atë të zonës historike.

Në tërësinë e vet, Zona 2, përfaqëson një sërë shtresash urbane të krijuara në periudhat e zhvillimit të qytetit. Ajo përfaqëson nga pikëpamja e krijimi të qytetit, pikërisht vendkrijimin e tij.

Reflektim mbi fillesat dhe ndryshimet e para

Si shumë qytete edhe Tirana mbart brenda vetes bashkëekzistencën e spontanitetit njerëzor dhe “hyjnores” të shprehur në copëza të qytetit apo të vendit ideal ku ai ndërtohet. Këtë të fundit, në Tiranë mund ta gjejmë në forma dhe shkallë të ndryshme, që nga konceptimi i banesave dhe oborreve që përfaqësojnë një lloj edeni në raport me ambientin e jashtëm, e deri tek pozicionimi i Tiranës në Fushën e Tiranës: kërthiza e një pellgu që rrethohet nga male e kodra, vend “i shenjtë” për të filluar ngulimi i qytetit. Në këtë vendmbajtës gjeografik, në shekullin XVII, u krijua bërthama e parë në ndërthurjen e trajektoreve ndërrajonale (Durrës –Dibër dhe Elbasan, Malësi e Tiranës – Krujë, Shkodër) në afërsi me përroin e Lanës (fig. 2). Qyteti filloi të rritej në mënyrë organike përreth bërthamës koncentrike që u formua si rezultat i bashkimit të disa bërthamave më të vogla. Përpjekjet e para të projekteve për të dalë jashtë kësaj bërthame i ngjasojnë utopive urbane, po të krahasohen me situatën e Tiranës së asaj kohe. Kështu, për herë të parë forma organike e Tiranës u “shqetësua” nga projektet që u hartuan midis viteve 20-të dhe 30-të të shekullit të kaluar.

(Dhamo, Thomai, Aliaj, 2012 Tirana – Qyteti I Munguar)

Figura 2. Bërthama e parë qendrore në kryqëzimin e trajektoreve ndërrajonale në afërsi të përroit të Lanës. Autor: Dhamo, Thomai, Aliaj, 2012 Tirana – Qyteti I Munguar

Ura e Tabakëve

E shpallur monument Kulture kategoria e I-rë, me Nr. Vendimi 586 e 4874. Dt. 17.03.1948 / 23.09.1971

Datohet në shekullin XVIII me një lartësi 3-4 metra.

Ura përbëhet nga një hark kryesor, mbi të cilin ngrihet ura në formë kurrizi.

Ky hark e ka hapësirën e dritës 8 metra dhe është ndërtuar me 2 rreshta harqesh anësor me trashësi 1 metër. Lartësia nga niveli i ujit ishte 3,5 metra. Kalldrëmi i urës me gjerësi 2,5 m.

Ballet e  qemerëve janë punuar me gurë gëlqeror të gdhendur, kurse muret ballore të urës janë me gurë të papunuar. Kalldrëmi mbi urë është me gurë të lumit të çrregullt.

Ura e Terznijve

Ura e Terzinjve

Regjistrohu

You don't have permission to register