Rruga e Mimozave
Bëhet fjalë për degëzimin midis dy itinerareve historike të Tiranës, Rrugën e Kavajës dhe Rrugën e Durrësit. Në gjurmët e para të Tiranës gjenden këto dy korridore kalimi tregtare që lidhnin kryeqytetin me perëndimin e vendin,Detin Adriatik dhe portin e Durrësit. Orientimi i tyre ka ardhur deri në ditët e sotme pothuajse i pandryshuar, duke u formuar si korridore të forta urbane, që lidhin pjesën perëndimore të qytetit me anën lindore të tij.
Trekëndëshi që krijohet midis këtyre dy rrugëve historike, mban brenda strukturës së vet urbanë një sërë vilash të ndërtuara midis viteve ’20-’35, të cilat po humbasin çdo ditë një nga një duke u zëvendësuar me godina shumëkatëshe. Kështu janë vëzhguar se janë shembur vila, të cilat kanë pasur edhe mbrojtje ligjore nga institucionet, dhe shumë të tjera janë në gjendje të degraduar edhe pse të shpallur Monumente Kulture. Duket sikur po presin fundin e paracaktuar nga planet urbanistike që e kanë futur këtë zonë për Rizhvillim urban.
Gjurmët e themelimit të qytetit të viteve ’30, janë dëshmia e një stili jetese nën Monarki, të pasur në stile arkitektonike të larmishme duke ndërtuar një peizazh urban historik për qytetin eTiranës.
Plani rregullues nën qeverisjen e Mbretit Zog i cili u hartua në vitin 1929, zgjaste aksetkryesore të Tiranës, duke zgjeruar kufijtë e qytetit drejt perëndimit duke ristrukturuar rrugët radiale, si rruga e Kavajës, Durrësit dhe Elbasanit. Ky ishte plani i katërt rregullues pas atij të parit të zhvilluar në 1923 të zhvilluar nga austriakët. Në regjistrimet e popullsisë që u zhvilluan në vitin 1930, Tirana kishte 30.000 banorë dhe dendësia ishte 2.500 banorë/ km².
Parcelat prej rreth 1500 metrash katrorë ishin të pajisura me një hapësirë të madhe për lulishte: modeli i qytetit lulishte ndërthurej me një sistem rrugor gjeometrik. Në bazë të këtij plani u ndërtuan vila të shkëlqyera që shkonin nga stili neoklasik te ai eklektik e deri te racionalizmi i daljes së parë.
Rruga e Kavajës[1] është një nga rrugët më të vjetra të kryeqytetit. Zhvillimin më të madh e pati pikërisht gjatë viteve 1920-1930, atëherë kur Tirana filloi të formësohej nga implementimi i planeve urbanistike. Një ndër planet kryesore për këtë rrugë ka qenë ai i vitit 1928, i realizuar nga arkitekti Kholer. Ky plan përfshinte një sërë ndryshimesh, ku e gjithë zona përgjatë këtij aksi do të zhvillohej sipas parcelave drejtkëndore, ku do të vendoseshin vilat. Vilat që nisën të ndërtoheshin në këtë periudhë në këtë bulevard ishin shumica të punuara sipas planeve italiane. Lartësia më e madhe që mund të arrinin ishte dykatëshe. Sot vilat që i kanë mbijetuar ndërtimit të pallateve të reja shumëkatëshe, janë jo vetëm trashëgimi historike, por edhe arkitektonike, si dokumentim i aftësive të arkitektëve modernë shqiptarë.
[1]Gazmend Bakiu, 2019, Botimi I tretë “Tirana e Vjetër. Njëhistori e ilustruar”
Rruga e “Durrësit”[1] është gjithashtu një nga rrugët më të vjetra të qytetit të Tiranës. Kjo rrugë ka qenë konsideruar si vazhdimi i ViaAppia-s që realizonte lidhjen e pjesës lindore të territorit me atë perëndimore. Moment i veçantë i historisë së saj ka qenë drejtimi dhe dhënia e rëndësisë dhe nga ana arkitektonike kësaj trajektoreje.
Të dhëna për rrugën e Durrësit:
- Vitet e hapjes 1922-1923;
- Dimensionet: gjatësia 1000m, gjerësia 20m;
- Kushti: shpronësimi -Franga ari 204.500;
- Ndërtimi i rrugës asfaltimi, kanalizimi dhe trotuari- Franga. Ari 108.000;
- Shuma franga Ari 312.500[2].
[1]Ariola Prifti, Disertacion për gradën shkencore “Doktor” 2017“ Ndikimi të arkitekturës dhe artit Italian në trashëgiminë shqiptare të viteve 1925-1943”
[2]Gazmend Bakiu, 2019, Botimi I tretë “Tirana e Vjetër. Një histori e ilustruar”
Gjithashtu vlen të përmendet edhe rruga tjetër e vjetër, që përshkonte zonën, ajo e Shkodrës, e cila bënte të mundur lidhjen e veriut me jugun. Sot kjo rrugë nuk është ruajtur, megjithatë gjurmët e vjetra të saj mund të lexohen në qytet. Në vitet 30, kur u bë edhe drejtimi i saj sipas planeve italiane për rregullimin e qytetit, filloi edhe ndërtimi i objekteve të reja, kryesisht i vilave. Këto ishin vila të ndërtuara nga arkitektë dhe në përgjithësi ishin të ndërtuara me stilin arkitektonik të perandorisë italiane, megjithatë mund të hasen elemente të arkitekturës moderne shqiptare.
Gjatë Monarkisë, rruga e Durrësit u quajt rruga “Nana Mbretëreshë”, përgjatë viteve iu ndryshua disa herë, “Princi iPiemontit” gjatë pushtimit “Italia” dhe “Kongresi I Përmetit” gjatë diktaturës. Ajo mbetet një nga rrugët më të bukura të kryeqytetit sepse kanë shpëtuar pa u prishur shumë vila e godina me vlerë të viteve ’20, ’30 të shekullit të kaluar. Deri më tani nuk ka ende rrokaqiej gërdalla betoni nga këta që janë ndërtuar në 20 vitet e fundit.
Aty ku rrugët e Kavajës dhe Durrësit krijonin një projeksion takimi, në hapësirën e brendshme të tyre, ka qenë një prej kafeve më të njohura në Tiranën aristokrate të viteve ’30 me emrin “Kursal”.
E vendosur aty ku kryqëzohen rrugët e Durrësit dhe Kavajës, kur ecën drejt sheshit Skënderbej, shumë pranë ish-Parlamentit të para luftës (sot Teatri i Kukullave), Bankës Kombëtare, ish-Bashkisë (sot e rrafshuar) dhe kompleksit të Ministrive të posa ndërtuara të Mbretërisë, ajo ishte një ishull evropian, si përsa i përket arkitekturës të veçantë në llojin e vet, arredimitmbresëlënës të ambienteve, por veçanërisht shërbimit të kulturuar, që i krijonin vizitorit të huaj përshtypjen se ndodhej në vendin e vet.
E ndodhur ne pikën e takimit të dy itinerareve historike, kafe Kursal ka qenë një nga landmarket më të forta të qytetit e cila nga banorët lokale ende përdoret si pikë referimi. Edhe pse hapësira ku dikur ndodhej kjo hapësirë urbane sot është zënë nga një ndërtim shumëkatësh, kafeKursalido të mbetet gjatë në kujtesën e Tiranës si ishte epiqendra e diskursit intelektual të qytetit, të cilën tiranasit e kujtojnë me rrëfimet e veta. Ajo nisi të ndërtohej në vitin 1928 si pronë dhe porosi e bashkisë Tiranë. Me urdhër të Mbretit Zog, kafja u përfundua më 1 shtator 1929. Një vit më pas kryetari I Bashkisë Tiranë, Rexhep Jella shpalli garën për oferta qe kafja të merrej me qira. Kafja është administruar në fillim nga Mehmet Keçi më pas Ali Begeja, deri më vitin 1980, kur u shemb bashkë me godinën e Bashkisë Tiranë. Kafja Karusel, ka qenë më bukura në kryeqytet. Ajo ishte pikëtakimi për intelektualë, për deputetë dhe shërbeu për aktivitete të ndryshme si për Ekspozitën e parë të artit etj. Për një kohë aty ka qenë edhe selia e “Sport-klub Tiranës”.Përgjatë diktaturës, emri I saj u ndërrua në Rinia, deri kur u shemb.
Godina e kafe “Kursal-it” u ndërtua në të viteve ’20, ishte një ndërtesë njëkatëshe, me dy kulla në pjesën perëndimore, të stilit japonez. Ajo kish një sallë të madhe në katin e parë, me rreth 20 tavolina, me një kapacitet modest deri në 100 persona, me banak ballor, ku servirej vetëm ulur. Salla ishte e modeluar në mënyrë moderne për kohën, me perde damasku me ngjyrë vishnje, që kombinonin hijshëm me dyshemenë me pllaka mozaike.
Nga jashtë mjedisi kompletohej nga lulishtja në formë trekëndëshi, e rrethuar me kangjella të ulëta, me një shatërvan të vogël, që kishte në qendër statujën e një djali me një peshk në dorë.
Lokali frekuentohej kryesisht nga elita e kohës, politikanë, ministra, deputetë, intelektualë por edhe personel i huaj, i akredituar në kryeqytet, si dhe tregtarët, vendas dhe të huaj.
Kamerierët shërbenin të veshur me kostum të zi, jelekë, këmisha të bardha, me papijon. Në mjediset e brendshme dhe të jashtme nuk servirej vetëm kafe, por gjithçka, pasi në “Kursal” gjendeshin të gjitha pijet e Evropës, nga shampanja, vera, uzoja, birra, lloje të ndryshme të likereve të eksportuara, por edhe pije shqiptare, kryesisht raki, birrë, si dhe ëmbëlsira.
Në vitin 1938, në kafe “Kursal” u hap një sallon i veçantë për shkollë dansi nga prof. Stathi dhe në mjediset e tij janë hapur ekspozita pikture të artistëve shqiptarë, si A. Buza, K. Kodheli etj. Ai ishte po ashtu i njohur edhe si lokali i parë i Bixhozit legal në kryeqytet.
Ashtu si në Korçë ajo u rrafshua si trashëgimi borgjeze. Sheshi ku ishte kafe “Kursali” sot është bosh dhe janë të gjitha mundësitë që ai të rindërtohet siç ka qenë, por druaj se qëllimisht është lenë i tillë, i gardhuar, për të pritur ndërtuesin e radhës të kullës shumëkatëshe për të pastruar paratë e pista të drogës. Fatkeqësi e madhe!
Burimi: Na ishte një herë “Kafe Kursal”