Qendra e Tiranës
Reflektim mbi fillesat dhe ndryshimet e para
Si shumë qytete edhe Tirana mbart brenda vetes bashkë ekzistencën e spontanitetit njerëzor dhe “hyjnores” të shprehur në copëza të qytetit apo të vendit ideal ku ai ndërtohet. Këtë të fundit, në Tiranë mund ta gjejmë në forma dhe shkallë të ndryshme, që nga konceptimi i banesave dhe oborreve që përfaqësojnë një lloj Edeni në raport me ambientin e jashtëm, e deri tek pozicionimi i Tiranës në Fushën e Tiranës: kërthiza e një pellgu që rrethohet nga male e kodra, vend “i shenjtë” për të filluar ngulimi i qytetit. Në këtë vend mbajtës gjeografik, në shekullin XVII, u krijua bërthama e parë në ndërthurjen e trajektoreve ndër rajonale (Durrës –Dibër dhe Elbasan, Malësi e Tiranës – Krujë, Shkodër) në afërsi me përroin e Lanës (fig. 2). Qyteti filloi të rritej në mënyrë organike përreth bërthamës koncentrike që u formua si rezultat i bashkimit të disa bërthamave më të vogla. Përpjekjet e para të projekteve për të dalë jashtë kësaj bërthame i ngjasojnë utopive urbane, po të krahasohen me situatën e Tiranës së asaj kohe. Kështu, për herë të parë forma organike e Tiranës u “shqetësua” nga projektet që u hartuan midis viteve 20-të dhe 30-të të shekullit të kaluar.
(Dhamo, Thomai, Aliaj, 2012 Tirana – Qyteti I Munguar)
“Nuk ka të dytë në botë. Shpreh gjenialitetin e Bosio-s dhe duhet shpëtuar nga modernizmat”, do të shpreheshe Claudio D’Amato në një intervistë për një gazetën lokale shqiptare, ditët e debatit publik për Teatrin Kombëtar. Pas kërkimeve dhe studimeve mbi arkitetekturën moderne italiane në kryeqytetin shqiptar, në mesin e viteve dymijë, ai do ta cilësonte aksin urban të Tiranës, bulevardin e projektuar nga Gerardio Bossio “unikal”, si pjesë që duhet t’i bashkangjitet trashëgimisë botërore, duke hedhur idenë e përfshirjes së tij në listën e UNESCO-s.
Tirana, qyteti i krijuar nga njerëzit, mes peizazhit kodrinor dhe siluetës së malit të Dajtit, i dha dorë specialistëve italianë të bënin ato projekte madhështore që i kanë dhënë Tiranës, fytyrën e një qyteti europian, që në fillimet e shekullit të kaluar. Me stile të përzier, nga ato eklektike, klasike, neoklasike, baroke por duke i përzier edhe me elementë tradicionalë kombëtarë, u trajtuan dhe u konceptuan nga Bosio dhe arkitektë paraardhës të tij, por veçanërisht nga Bosio, të gjitha projektet dhe ndërtimet e Planit Rregullues të Tiranës së asaj kohe.
Aksi i Bulevardit do të shihte shumë variante deri sa të arrinte deri tek ai plan i cili u realizua dhe është trashëguar deri më sot. Qendra e kryeqytetit, u konceptua në formën e një sheshi qendror të rrethuar nga tetë godina, me lartësi 2kate. Sheshi qendror, që mori emrin ‘Sheshi Skënderbej’ në formën e vet origjine, bashkë me grupin e godinave të Ministrive, do të punohej nga një arkitekt tjetër italian. Dokumentat e arkivit tregojnë se në atë shesh kanë lënë gjurmë arkitektët: Armando Brasini, Florestano Di Fausto, Giulio Berté, Vittorio Ballio Morpurgo etj.
Florestano Di Fausto, njihet për dizenjot e tij të ndërtimit, për stile të ndryshme arkitektonike, sidomos mes eklekticizmit dhe racionalizmit, gjurmë të stileve të gjetura në korpusin e Ministrive që rrethojnë sheshin Skënderbej. Sheshi i ministrive, ishte nga ndërhyrjet më të rëndësishme që iu bënë kryeqytetit të ri shqiptar, jo vetëm në shkallë arkitektonike, me stilet e larmishme, por edhe urbanistike. Disa variante u hartuan për projektin e këtij sheshi, por ai që u zbatua (pjesërisht) ishte varianti i vitit 1931 i projektuar nga arkitekti italian Florestano Di Fausto. Sipas këtij projekti, i cili ruante objektet historike të Tiranës si Kulla e sahatit, Xhamia dhe Pazari i vjetër, u ndërtuan gjashtë ministritë që ekzistojnë edhe sot si edhe ish-Bashkia e Tiranës (e cila u shemb për të ndërtuar Muzeun Historik Kombëtar). Po ashtu u ndërtua edhe lulishtja e vendosur midis katër objekteve të ministrive që konturonin pjesën jugore të sheshit dhe përballë lulishtes u krijua sheshi qendror me shatërvanin rrethor në qendër. Projekti origjinal parashikonte konturimin e sheshit me tetë objekte, të cilat nuk u ndërtuan të gjitha, kjo lejoi ndërhyrjen e në pjesën veriore të sheshit me ndërtimin më vonë të Hotel Tiranës (15 katëshi) dhe më pas pallatin e Kulturës dhe Muzeun. Nëse do të ishte ndërtuar i plotë projekti i Di Faustos, ndoshta qendra e kryeqytetit nuk do të kishte ato probleme që sot po çojnë në shkatërrimin total të origjinës së saj.
Përpara këtyre propozimeve që do të sillnin frymën perëndimore, me stile dhe arkitekturë me ndikim italian dhe austriak, Tirana mbarte stilin e saj origjinal në ndërtimin e qytetit dhe qendrave sociale të tij. Me materiale lokale, stil të përzier tradicional me ndikim otoman, tiranasit, ndërtuan përgjatë shekujve qytetin që pjesërisht ka ardhur deri sot, gjurmë të rëndësishme për zhvillimin e qytetit dhe shoqërisë shqiptare në tërësi.