Image Alt

Pazari i ri mes Tiranës së Vjetër

Pazari i ri mes Tiranës së Vjetër

Pazari i ri i ndodhur në afërsi të kryqëzimit të rrugëve Tefta Tashko dhe Hoxha Tahsim, është gjurmë e re në territorin e Tiranës. Do të ishte viti 1928, i cili do të ndante aktivitetin tregtar të Pazarit të Vjetër, pasi edhe pse me kapacitet prej afro 800 dyqanesh, duke spostuar produktet e fshatit, perimet frutat dhe mishin, në një vendndodhje të re do të lehtësohej menaxhimi i tij.
Pazari i Ri u ndërtua afër atij të Vjetrit në verilindje të tij, në sheshin e ashtuquajtur ‘Parthern’ ku do të ndërtoheshin 60 dyqane 1 . Vetëm pas vitit 1939, do të merrte emrin Pazari i Ri, të cilin e mban ende sot.

Foto 1_Pazari I Vjetër I Tiranës

Pazari i Vjetër[1] i Tiranës, i quajtur ndryshe Çarshia e Tiranës[2], lindi bashkë me qytetin dhe i dha Tiranës karakterin tregtar përgjatë shekujve. Për gati 300 vjet, Pazari u zhvillua si qendra ekonomike e qytetit, pikëtakimi i ndodhur në kryqëzimet e rrugës së Dibrës, me të Durrësit, të Shkodrës me të Elbasanit, ishte pozicioni më i favorshëm për të zhvilluar tregtinë ndërqytetëse. Aktiviteti tregtar njohu lavdinë e tij në fund të viteve 1800, kur kapaciteti arriti 727 dyqane[3]. Çdo rrugë kishte profesionistët e vet, kështu qytetari e dinte ku do të shkonte dhe çfarë do të gjente në secilën prej tyre. Ishte Esat Toptani, që në vitin që në vitin 1907, ndryshoi ‘fytyrën’ e Pazarit, duke i kërkuar tregtarëve të përshtateshin me kohën, duke shtruar fillimisht me kalldrëm rrugicat pazarit e më pas deri tek vendosja e qepenave modernë në dyer dhe dritare.

Një vendim i dhjetorit të 1959 (kohë kur në Shqipëri ishte instaluar regjimi komunist), do të njoftonte prishjen e Pazarit të vjetër, pa asnjë sqarim ndaj pronarëve të dyqaneve. E drejta për të reaguar ishte e mohuar, kështu reagimet ishin spontante por të pa organizuara në formë greve apo tubimesh. Pazari u shemb më 19 dhjetor 1959, duke i lënë vendin ndërtimit të Pallatit të Kulturës. Dyqanet që prej tre shekujsh ushtronin aktivitetet në atë Pazar, nuk u spostuan dhe për ato nuk pati asnjë plan se ku do të zhvendoseshin, shumë pak prej tyre arritën të gjejnë hapësira alternative. Shkatërrimi i tij për komunitetin tiranas, ende sot është një plagë e cila nuk është shëruar.

Qyteti humbi zemrën e tij. Pazari, duke jetuar si qytezë brenda qytetit, funksiononte si hapësira më e madhe publike, si pikëtakim dhe pikë referimi për banorët.

Karakteri tregtar i Pazarit të Vjetër, ku shiteshin nga zejet e bakrit e deri tek të linjat e qëndisura me ar, nuk gjeti vend në Pazarin e Ri, i cili që në gjenezë u konceptua si zgjatim i Pazarit, pa pasur si qëllim zëvendësimin e tij. Pazari i Ri, ruajti karakterin e tij fillestar, atë të fruta perimeve dhe markatës së peshkut e mishit.

Foto 2 Pamje të një dite Pazari

Hotel Vjosa, një gjurmë tjetër dhe pikë referimi e Pazarit të Ri u shkatërrua në Prill 2019, ndërsa gjurmët e fundit të mbetura nga dyqanet e pazarit të Vjetër  ‘Rruga Broadway’ u shembën në Maj 2020, për t’i lënë vendin ndërtimit të një kullë shumëkatëshe si kokë njeriu.

Foto 3 Hyrja e rruges Broadway. Kisha ortodokse qe u shemb për t’i lënë vendin 15 katëshit

Foto 4 Rruga Broadëay pamja nga ty ku sot është Hotel Tirana International (15 katëshi)

Pazari i Ri, u rijetëzua me një investim të Fondit Amerikano-shqiptar të zhvillimit, nisur në vitin 2011 dhe inauguruar më 14 mars 2017. Rikualifikimit i Pazarit është arritur pas tre lloje ndërhyrjesh:

1) Rikonceptimi e ndërtim i Markatës së Gjelbër (markata e fruta-perimeve

2) Rikonstruksioni i objekteve ekzistuese, duke përfshirë këtu dhe Markatën e Mish-Peshkut

3)Restaurim i objekteve të shpallura Monumente Kulture. Autori i këtij investimi (AADF[1]), me një kapital prej 3 milion USD, në Bashkëpunim me Bashkinë Tiranë dhe Qeverinë shqiptare, kishte për qëllim të projektit Zhvillimin e zonës për Turizëm – TID Tirana[2].

Projekti përfshinte ndërhyrjet në rikonstruksionin e hapësirës publike dhe disa godinave private të shpallura monument kulture e kategorisë së dytë. Projekti rikonceptoi hapësirën urbane, duke trajtuar dyshemenë dhe fasadat e objekteve që rrethonin sheshin. Zona të pashfrytëzuara ose të menaxhuara keq, dolën në dritë duke u bërë pjesë integrale e këtij ansambli urban.

Pazari i ri, sot është zonë këmbësore e Tiranës, dhe funksionon si qendër tregtare e hapur me restorante, bare dhe markatën e peshkut në qendër të tij, dhe markatën e fruta perimeve. Kjo ndërhyrje, ka sjellë ndryshime të dukshme në zonë, ku edhe pse qëllimi kryesor është Pazari me tregtinë si element dominant të hapësirës publike, peshën më të madhe të klientëve në zonë e kanë kryesisht baret dhe restorantet e zonës.

Në momentin e inagurimit, zona e Pazarit te Ri kishte 15 monumente kulture të mbrojtura me ligj, një pjesë e së cilave janë restauruar dhe vënë në funksion publik.

Foto 5
Në plan të parë Xhamia e Vjetër, aty ku sot ndodhet busti i Partizanit të Panjohur
Burimi: (Dhamo, Thomai, Aliaj, 2012 Tirana – Qyteti I Munguar)

Foto 6 Pamje e Pazarit të Vjetër dhe kullës së Sahatit

Regjistrohu

Keni llogari?