Emri: Vila I – 21
Viti i ndërtimit: Para 1944
Adresa: Rruga e Dibrës
Statusi: E banuar

Teksa bën të ndjekësh rrugën e Dibrës, rrëmbehesh fshehtazi nga disa rrugica të ngushta përbri saj. Rrugica e parë karshi rrugës kryesore zbulon një komunitet të vogël, të shkëputur nga madhështia e metropolit, por të veshur nga madhështia e historisë dhe trashëgimisë kulturore e arkitekturore të qytetit të vjetër.

Një rrugicë gjarpërushe përshkon lehtazi kalldrëmet e shtëpive të vogla, një katëshe dhe dy katëshe, të radhitura njëra pas tjetrës pa shkëputje, që duken si të mbështetura sup përmbi sup te njëra tjetra.

Kureshtja e komunitetit për grupin e panjohur që po sodit shtëpitë e vjetra, të braktisura nga harresa institucionale dhe “civilizimi” i rrëmujshëm përtej “portës”, shkon edhe më tej duke u afruar për të na ofruar ndihmë dhe informacion.

Ah, ju doni të dini për historikun e këtyre shtëpive të vjetra. Vetëm Bela mund t’ju japë më shumë informacion”, -na u përgjigj djaloshi që preu hovin dhe eci me hapin tonë, teksa na tërhoqi drejt shtëpisë së Belës.

Bela, një zonjë e vogël në trup, por me një histori të mahnitshme pas saj, zonja më e vjetër e lagjes, jeton në një shtëpi dy katëshe, e cila gëzon edhe statusin e “Monument Kulture” e kategorisë së parë.

Shtëpia dy katëshe është ndërtuar në vitin 1921, nga Hysen Shehri, gjyshi i Belës.

Kjo ka qenë një dhomë, por e bëri baba kaq sa është. Ka qenë vetëm një dhomë kur ja ka ble Limon Petrelës, lordit më të madh të Tiranës. Kemi qenë shumë, në të gjitha shtëpitë kishe vetëm tiranas”,-na tregon Bela, e ulur në pragun e derës.

Shtëpia është në gjendje të dëmtuar. Në të nuk është vënë dorë në 30 vitet e fundit, ndërsa ruan të njëjta karakteristika të saj që prej ndërtimit.

Ndërsa na pyet origjinën tonë dhe jep përshtypjet në bazë të origjinës, Bela nuk e fsheh mërzitinë që ndjen për kohë kur Tirana mirëprit e vazhdon të mirëpresë banorë të rinj, pasi sipas saj tanimë nuk është njësoj ky qytet, teksa pak lagje të vjetra kanë mbetur me tiranas autoktonë.

Hyrja në derën kryesore të shtëpisë të çon në një oborr të madh, në qendër të të cilit ndodhet një pus që nuk është funksional. Në anë të hyrjes ndodhet dhoma ku qëndron Bela, e përbri saj shkallët prej druri të ngjisin në katin e dytë. Dëmtimi i muraturës dhe i çatmasë është i dukshëm mjaftueshëm për syrin e lirë, megjithatë Bela rrëfen me nostalgji për shtëpinë e saj dhe ndjesinë e komunitetit që ajo i ka dhënë.

“S’të njeh askush në apartament, bëhesh si e huaj. Më pëlqen shtëpia që kam tani. Kanë qenë dhomë me çilte, si i thoni ju. Me oxhak e, sa bukur ka qenë se priste njerëz baba im, Mehmet Shehri quhet baba im”,-tregon mes emocionesh Bela.

Ajo kujton kohën kur përreth shtëpisë së saj nuk kishte pallate, por shtëpi te ngjashme me të sajën, ndërsa veçon faktin se dera kryesore e shtëpisë asnjëherë nuk mbyllej për komshinjtë, duke krijuar kështu një komunitet që nuk e gjen në bashkëjetesën në pallate.

Në anën e pasme të shtëpisë, fill ku pozicionet pusi, një ndërtesë katër katëshe kanë vendosur kufirin, duke hyrë në oborrin e Belës, ilegalisht sikurse ajo na tregon përmes letrave dhe procedurave gjyqësore që ka ndjekur. Megjithatë, pas humbjes së të vëllait vitet e fundit, tashmë ajo mbetet e vetmja trashëgimtare e familjes Shehri, dhe mosha ka bërë që të mos ketë më forcën për të fituar të drejtën e pronës së saj në formë ligjore.

 

 

Kliko mbi shenjën + për të lexuar informacionin

Pronari

Pronari aktual
Emër: Bela Shehri

Pronari para 1944 (i origjines)
Emër: Hysen Shehri
(gjyshi i Belës)

Përshkrimi i fasadës nga rruga

Veriore: Gjendje jo e mirë, ka dëmtim të çatmasë dhe të muraturës. Dritaret dhe dyert në gjendje të keqe, të hershme.
Dera hyrëse prej druri, në gjendje të dëmtuar.

Përshkrimi i fasadave te tjera:

Jugore: Gjendje e dëmtuar
Lindore: Kemi suva dhe çatma të dëmtuara shume
Perendimore: 

Çatia:

E dëmtuar tërësisht

Muri rrethues

Nuk ka mur rrethues nga rruga që e lidh me lagjen. Në pjesën e pasme mur rrethues shërben ndërtesa ngjitur që ka hyrë në oborrin e shtëpisë Shehri.

Oborri

pemet; llojet e gjelberimit te dallueshem: rrush, pemë dekorative, lule,

Ndërhyrje të jashtligjshme

Po

Restaurimet:

Jo

Rikonstruksionet:

Jo

Shembje:

Jo

Inspektimet nga organet e shtetit:

Jo

Shënime:

Informacione

Rruga e Dibrës, Tirana, Albania

Ndërlidhje
Citizen Channel

Citizens Channel është një media që ka për qëllim të promovojë zhvillimin e gazetarisë qytetare në Shqipëri dhe të fuqizojë zëra të përgjegjshëm, në përputhje me vlerat e një shoqërie gjithë pranuese dhe tolerante, në respektim të lirive e të drejtave themelore të njeriut.

Regjistrohu

Keni llogari?