Emri: Ismail Tartari
Viti i ndërtimit: 1928-1929
Adresa: Rruga e Kavajës, Tiranë
Statusi: Monument kulture, kategoria II
Gjendja aktuale: E banuar 

Një portë e vogël e hirtë karshi rrugës së Kavajës bën ndarjen e një vile me pallatet radhazi.

Duke e parë hapur, pa nevojën për të pritur përgjigjen ndaj ziles së rënë, hyjmë tinazi me ndojtje në oborrin e vogël para se të shquajmë mirë vilën. Lulet dekorative të vendosura përgjatë rrugicës së vogël që të shpien në hyrje të banesës krijojnë hije pasqyruese nga rrezet e diellit të pasdites pas tyre. Me ngjyrën limoni dhe gdhendjet e bardha në kolonat mbajtëse na shfaqet vila e familjes Tartari.

Dritaret janë të larta, me kanate prej druri, në shumicën e tyre të mbyllura, herë në ngjyrë ulliri e herë në të kaftë. Një derë e lartë prej druri e mbështjellë me hekura të imët dekorues dhe mbrojtës qëndron pas sheshit të vogël të pushimit, në të cilin ndodhet një tavolinë dhe dy karrige, ku e zonja e shtëpisë, një grua e vjetër në moshë na fton të zemë vend.

Në katin e parë të vilës qëndron familja e Ismail Tartarit, ndërsa në katin e dytë kushërinjtë e tyre, por me mbiemër tjetër, familja Jonuzaj. Pronari i shtëpisë, që prej ndërtimit të saj, Osman Jonuzaj mjek dhe kirurg, ka qenë një ndër themeluesit e spitalit të Tiranës. Më pas një pjesë të godinës ia dhuroi vajzës së tij kur lidhi fejesë. Dhëndri i Osmanit, Ismail Tartari ishte po ashtu një mjek mjaft i njohur, i cili sipas rrëfimeve të zonjës së shtëpisë, themeloi radiologjinë shqiptare dhe ishte i pari që ka sjellë aparatin radiologjik në Shqipëri.

Vila Tartari/Jonuzaj nuk e ka ndryshuar strukturën e saj dhe gëzon formë të njëjtë që prej ndërtimit. Në brendësi të saj shkallët, dyshemeja, porta kryesore dhe dritaret e jashtme janë të hershme po aq sa godina. Zonja rrëfen se godina ka një të keqe, ajo nuk është ndërtuar me shtylla betoni, e si pasojë, çdo lëvizje që ndodh në katin e dytë krijon tundje të dyshemesë dhe dëgjohet në katin poshtë, megjithatë nuk e kanë ndryshuar atë.

Para vitit 1962 vila është përdorur edhe si poliklinikë, por menjëherë pasi qyteti u bë me një poliklinikë tjetër, vila ju rikthye sërish pronarëve.

Një vilë e përmasave të tilla, me dy ballkone të vogla dhe kolona të stilit italian ka nevojë për riparime të vazhdueshme, megjithatë zonja na rrëfen se ndërhyrjet më të fundit kanë qenë pas tërmetit të parë të ndodhur më shtator 2019, ku si pasojë u prish çatia dhe pati një krisje të murit, që u normalizuan pas rikonstruksionit.

Në oborrin e vogël të mbetur pronarët rrëfejnë se ka ndërhyrje abuzive, me dhunë, sikurse është hoteli i ndërtuar ngjitur.

Kliko mbi shenjën + për të lexuar informacionin

Pronari

Pronari aktual
Emër: Ismail Tartari

Pronari para 1944 (i origjinës)
Emër: Osman Jonuzaj

Përshkrimi i fasadës nga rruga

Veriore: Në gjendje të mirëmbajtur. Dritare dhe dyer të vjetra, origjinale, por të mirëmbajtura.

Përshkrimi i fasadave te tjera:

Jugore: Në gjendje shumë të mirë, e mirëmbajtur
Lindore: Në gjendje shumë të mirë, e mirëmbajtur
Perendimore: Në gjendje shumë të mirë, e mirëmbajtur

Çatia:

Në gjendje të mirë. E dëmtuar në shtator nga tërmeti i vitit 2019, por u rikonstruktua sërish.

Muri rrethues

I dëmtuar/ i paaksesueshem. Porta e hyrjes në banesë e kyçur.

Oborri

Pemët: Limon, mandarina, dafina, manjola

Ndërhyrje të jashtligjshme

Jo

Restaurimet:

Po, ndër vite

Rikonstruksionet:

Është riparuar çatia.

Shembje:

Nuk ka pasur shembje. Çarja e shkaktuar nga tërmeti është rikonstruktuar.

Inspektimet nga organet e shtetit:

Po, ka pasur inspektime vetëm pas tërmetit të shtatorit.

Shënime:

Pronari i shtëpisë është Osman Jonuzaj, mjek i cili ka themeluar spitalin e Tiranës. Më pas është trashëguar nga dhëndri i Jonuzaj, Ismail Tartari (radiolog). Në katin e dytë jetojnë kushërinjtë e familjes Tartari.

Është monument kulture i mbrojtur, kategoria e dytë. Toka është blerë fillimisht në vitin 1927 dhe më pas është ndërtuar vila. Para çlirimit është përdorur si poliklinikë.

Informacione

Rruga e Kavajës, Tiranë, Albania

Ndërlidhje
Citizen Channel

Citizens Channel është një media që ka për qëllim të promovojë zhvillimin e gazetarisë qytetare në Shqipëri dhe të fuqizojë zëra të përgjegjshëm, në përputhje me vlerat e një shoqërie gjithë pranuese dhe tolerante, në respektim të lirive e të drejtave themelore të njeriut.

Regjistrohu

Keni llogari?