Vila Njuma (1924) – Monument Kulture Kategoria II
Një nga vilat më karakteristike të Tiranës historike. Godina dy katëshe dallohet për dritaret e saj të ngjyrosura me të gjelbrën e errët dhe fasadën e dekoruar me lule. E ndërtuar në vitin 1924, vila ka qenë i vetmi objekt i kësaj lartësie brenda pllakës urbane, deri në fund të viteve 70-të. Vila sot është e rrethuar nga pallate shumëkatëshe dhe një prej tyre është ndërtuar ngjitur duke i shkaktuar dëme.
“Përpara se të bëheshin pallatet, ky ballkon ka qenë ‘belvedere’, mund të vështrohej sheshi Skënderbej dhe ai i Pazarit të ri’, tregon Ylber Njuma, i cili na shoqëron brenda shtëpisë në një rrëfim ku ndan historinë, përjetimet dhe vështirësitë e jetesës në një objekt të ruajtur nga shteti, kur mbështetja institucionale mungon.
Banesa Shehri (1931) – Monument Kulture Kategoria I
Kjo shtëpi e ndërtuar në vitin 1931, sot është e rrethuar nga kantiere ndërtimi dhe pallate. Vila Shehri mbetet vetmet objekte që kanë mbetur të patjetërsuar në këtë rrugicë karakteristike pranë rrugës së Dibrës. Bela Shehri, 80 vjeç është, banon e vetme në shtëpinë që veç amortizimit nga koha dhe mungesa e mirëmbajtjes, duket se ka marrë dëmtime edhe nga tërmeti. Në oborrin e pasmë, veç pusit të vjetër, pemëve dhe hardhisë zbulojmë edhe dy pllaka të mbështetura në mur ku shkruhet “Monument Kulture Ruhet nga Shteti” (mbishkrim që vendoset në objektet e kategorisë së parë). Bela tregon se ato i përkasin një pjese të shtëpisë që u shemb e u dëmtua nga një objekt aty pranë, për të cilin vëllai i saj nisi procesin gjyqësor përpara se të ndahej nga jeta.
Shtepia Bermema (1920)
Banesa numër 18 në rrugën “Him Kolli”, një shtëpi qerpiçi e ndërtuar në vitet 1920, ka shërbyer fillimisht si njësi e “Gestapos” për tu kthyer më pas në shtëpinë e familjes tiranase Bermema. Vila nr.18 ri hapi dyert pas 10 vitesh harresë, e rikonceptuar si shtëpi botuese dhe hapësirë sociale duke propozuar një model zhvillimi të qëndrueshëm për ruajtjen e objekteve të kësaj tipologjie. Anna Shkreli, na shoqëron në një tur të shtëpisë, ku ndan përjetime të fëmijërisë së saj si banore e shtëpisë, historikun e vilës, punën e bërë për të krijuar një model prezervimi si edhe planet për të ardhmen.